Depresioni
Çfarë është depresioni?
Shumica e njerëzve ndjehen të dëshpëruar ose depresionuar me kalimin e kohës. Të ndjerit i depresionuar mund të jetë një reaksion normal ndaj një humbje, vuajtje në jetë, ose ndonjë lëndimi të vetëbesimit.
Por kur ndjenja e dëshpërimit të thellë – përfshirë të ndjerit i paaftë, pashpresë dhe i pavlerë – zgjat disa ditë deri në disa javë dhe ju mban juve larg nga funksionimi normal, depresioni juaj mund të jetë diçka më shumë se sa dëshpërim. Kjo mund të jetë depresion klinik – një sëmundje që mjekohet.
A ka lloje të ndryshme të depresionit?
Ka një mori llojesh të ndryshme të depresionit, ku përfshihen:
- depresioni i madh
- depresioni kronik
- depresioni bipolar
- depresioni sezonal
- depresioni psikotik
- depresioni i pasndarjes
- çrregullimi i gjendjes shpirtërore e nxitur nga substancat.
A ka edhe lloje të tjera të depresionit?
Nga llojet tjera të depresionit të cilat mund të ndodhin janë:
- depresioni i dyfishtë – një sëmundje e cila ndodh kur një person me depresion kronik përjeton një episod të depresionit të madh;
- depresioni sekondar – një depresion që zhvillohet pas paraqitjes së sëmundjeve të caktuara si hipotiroidizmi, sulmi në tru, sëmundja e Parkinsonit, ose AIDS-i, ose pas probleme psikiatrike si skizofrenia, sëmundja e panikut ose bulimia;
- depresioni kronik rezistent ndaj mjekimit – kjo është një sëmundje e cila zgjat për rreth një vit dhe është shumë vështirë të mjekohet me antidepresivë dhe barna psikofarmalologjike dhe psikoterapi tjetër;
- depresioni i maskuar – një depresion i cili është fsheh prapa ankesave fizike për të cilin asnjë shkaktar organik nuk mund të gjendet.
Për mjekimin e depresionit kronik resitent ndaj mjekimit, zakonisht mjekimi i duhur është terapia elektrokonvulsive.
A mund të paraqitet depresioni me sëmundje të tjera mentale?
Depresioni shpesh ndodh edhe me sëmundje të tjera si ankthi, çrregullimi obsesiv maniakor, sëmundja e panikut, fobitë, dhe çrregullimet e të ushqyerit. Nëse ju ose ndonjë i dashur i juaj ka simptoma të depresionit dhe/ose këto sëmundje të tjera mentale, bisedomi me mjekun tuaj. Mjekimi është në gjendje ta largojë depresionin ashtu që ju ose personi juaj i afërm që vuan, të mund të riktheni jetën kuptimplotë.
Depresioni ndodh kur ju keni së paku pesë nga nëntë simptomat e mëposhtme në të njëjtën kohë:
- ndjenjë dëshpërimi gjatë shumicës së ditës, veçanërisht në mëngjes
- plogështi ose mungesë energjie për shumicën e ditës
- ndjenjë të pavlefshmërisë ose të fajit po thuajse çdo ditë
- përqendrim i dobësuar, pavendosmëri
- pagjumësi ose hipersomni (gjumë të tepruar) po thuajse çdo ditë
- interesim ose dëshirë dukshëm të pakësuar në po thuajse të gjitha aktivitetet, po thuajse çdo ditë
- mendime periodike të vdekjes ose vetëvrasjes (jo vetëm frikë nga vdekja)
- ndjesi shqetësimi – i njohur si trazim psikomotor – ose ndjenjë e të qenit i vonuar (retarduar)
- humbje ose shtim i dukshëm i peshës (ndryshim prej më shumë se 5 për qind të peshës së trupit në muaj).
A mund të ketë depresioni simptoma fizik?
Pasi substanca të caktuara të trurit të cilat quhen neurotransmetues, në veçanti serotonina dhe norepinefrina, ndikojnë edhe në gjendjen shpirtërore e edhe në dhimbjen fizike, nuk është e pazakonshme që personat me depresion të kenë edhe simptoma fizike. Këto simptoma mund të përfshijnë dhimbjen në nyja, dhimbjen në shpinë, problemet gastrointestinale, shqetësime me gjumin, dhe ndryshime të apetitit. Simptomat mund po ashtu të shoqërohen nga të folur më të ngadalësuar dhe retardime fizike. Shumë pacientë shkojnë nga njëri mjek te tjetri duke kërkuar mjekim për simptomat e tyre fizike kur, në të vërtetë, ata kanë depresion klinik.
Cilat janë ndjenjat më të shpeshta që shoqërojnë depresionin?
Sipas Institutit Nacional të Shëndetit Mental (në SHBA), jo të gjithë njerëzit me sëmundje depresive përjetojnë të njëjtat simptoma. Ashpërsia, shpeshtësia e paraqitjes dhe kohëzgjatja, të gjitha ndryshojnë. Ato varen nga individi dhe sëmundja e tij/saj e veçantë. Këtu janë simptomat më të shpeshta të njerëzve me përvojë depresioni:
- vështirësi në përqendrim, në mbajtjen mend e detajeve, dhe në vendimmarrje
- lodhje dhe ulje e energjisë
- ndjenjë faji, pavlefshmëri, dhe/ose i/e paaftë
- ndjenjë e të qenit i/e pashpresë dhe/ose pesimizëm
- pagjumësi, pagjumësi e hershme e mëngjesit, ose gjumë i tepruar
- ngacmueshmëri, shqetësim
- humbje e intersimit në aktivitete ose hobi dikur të dëshirueshme, përfshirë edhe seksin
- asnjë dëshirë e mbetur në jetë
- ushqyerje e tepruar ose humbje apetiti
- dhimbje të vazhdueshme, kokëdhembje, ngërçe, ose probleme të tretjes të cilat nuk lehtësohen as me trajtim
- dëshpërim i vazhdueshëm, ankth, ose ndjenja “të zbrazëta”
- – mendime të vetëvrasjes, tentime për vetëvrasje
Derisa këto janë simptomat më të shpeshta të depresionit, ato mund po ashtu të paraqiten në tërësi. Për shembull, personi mund të përjetojë depresion me mani ose hipomani – një sëmundje që ndonjëherë quhet depresion maniak. Ose simptomat mund të jenë sezonale si në rastin e sëmundjes sezonale.
Ka disa lloje të depresionit maniak. Njerëzit me sëmundjen bipolare II kanë së paku një episod të depresionit të madh dhe së paku një episod hipomaniak – ngazëllim i lehtë. Njerëzit me sëmundjen bipolare I kanë histori të së paku një episodi maniak – ngazëllim i tepruar (në popull thuhet “fluturon me mendje”), me ose pa episode depresive në të kalurën. Ndonjë pacient me depresion unipolar ka depresion të madh por nuk ka hipomani ose mani.