Sëmundjet me shkronjën: D

Diarreja nënkupton zbrazje të shpeshtë, të tepërt dhe të hollë (të lëngshme) e zorrëve. Në mjekësi, diarreja definohet si një gjendje kur organizmi ka numër të shtuar të barkqitjeve gjatë një dite të vetme (ose mbi 3 barkqitje në ditë).

Jashtëqitja, e quajtur në mjekësi feces, është pjesa që ne e nxjerrim në tualet përmes rektumit dhe anusit. Fecesi përmban atë që mbetet pasi sistemi digjestiv absorbon lëndët ushqyese dhe lëngjet nga ajo çfarë ne hamë dhe pimë. Nëse trupi nuk i absorbon lëngjet, dhe nëse sistemi juaj digjestiv krijon më lëngje shtesë, fecesi do të jetë i shpeshtë dhe i lëngshëm. Fecesi i lëngshëm përmban më shumë ujë, kripë dhe minerale, dhe peshon më shumë se fecesi i thatë.

Diarreja në një aspekt prek po thuajse çdo person gjatë jetës.

Diarreja mund të jetë akute dhe kronike. Diarreja që vjen papritur dhe kalon pas një periudhe prej 1-2 ditësh (ndonjëherë edhe më shumë), zakonisht emërohet si “diarreja akute”. Shumica e njerëzve me diarre akute shërohen vetvetiu dhe pa nevojë për intervenime me terapi. Diarreja që zgjat së paku disa javë (rreth katër) quhet “diarre kronike”. Gjatë diarresë kronike simptomat mund të jenë të vazhdueshme, ose mund të vijnë dhe të largohen.

Diarreja kronike, në mënyrë të veçantë, kërkon një kujdes mjekësor për të gjetur shkaktarin që qëndron mbrapa saj dhe që nxit komplikimet, siç është dehidrimi i organizmit. Dehidrimi është më i shpeshtë tek fëmijët, organizmi i të cilëve ka më shumë ujë se sa ai i të rriturve. Duhet pasur parasysh se pasojat e dehidrimit mund të jenë fatale..

Përveç jashtëqitjes së shpeshtë dhe të lëngshme, simptomat tjera të diarresë mund të jenë:

  • Ngërçe ose dhimbje në abdomen – zona në mes të gjoksit dhe vitheve
  • Nevoja për përdorim urgjent të tualetit
  • Humbja e kontrollit të zorrëve.

Si pasojë e diarresë ju mund të ndjeni dhimbje në stomak ose mund të jeni të dehidruar. Nëse virusi ose bakteri është fajtor për diarrenë tuaj, ju mund të keni edhe ethe dhe dridhje dhe jashtëqitje me gjak.

Dehidrimi

Me dehidrim nënkuptohet kur organizmi juaj nuk ka mjaft lëngje për të funksionuar normalisht. Çdo herë kur ju keni lëvizje të zorrëve, ju humbni lëngje. Diarreja bën që ju të humbni edhe më shumë lëngje. Ju po ashtu humbni kripë dhe minerale si natrium, klor dhe kalium. Këto ndikojnë në sasinë e ujit që qëndron në organizmin tuaj.

Dehidrimi mund të jetë serioz, veçanërisht për fëmijët, të moshuarit, dh njerëzit me sistem të dobët imun.

Shenjat e dehidrimit te të rriturit janë:

  • Të qenit i etshëm
  • Urinimi më pak se zakonisht
  • Urina me ngjyrë të mbyllur
  • Lëkura e thatë
  • Ndjenja e lodhjes
  • Ndjenjë marramendje ose ligështimi.

Shenjat e dehidrimit te foshnjat dhe fëmijët e vegjël janë:

  • Gojë dhe gjuhë e thatë
  • Qarje pa lot
  • Pelena që nuk laget për tre ose më shumë orë
  • Sy, faqe të fundosura, ose njolla të buta në kafkë
  • Temperaturë të lartë
  • Të qenit më i nervozuar ose përgjumur se zakonisht.

Po ashtu kur njerëzit janë të dehidruar, lëkura e tyre nuk kthehet në normalitet menjëherë, pasi të jetë shtypur dhe lëshuar me butësi.