Dengue, ethet
Ethet tropikale (‘dengue fever’) paraqesin sëmundje e cila shkaktohet nga një virus që bartet nga mushkonjat. Rastet e lehta zhvillohen me skuqje dhe simptoma të ngjashme me gripin. Disa njerëz, sidomos fëmijët, mund të zhvillojnë forma shumë më serioze të sëmundjes, të njohur si ethet tropikale hemorragjike dhe sindroma e shokut të etheve tropikale.
Ethet tropikale shkaktohen pas pickimit të mushkonjave që bartin virusin. Virusi nuk përhapet nga njeriu në njeri në rast të kontakteve të zakonshme. Njerëzit të cilët janë të infektuar me ethet tropikale duhet të ruhen nga pickimi i mushkonjave, pasi që nëse një mushkonjë e kafshon personin e infektuar – infektohet dhe mund t’ua transmetojë virusin njerëzve të tjerë.
Epidemitë janë të shpeshta në shumë vende në Amerikën Latine dhe në Azinë Juglindore. Sëmundja është e shpeshtë edhe në Afrikë, në disa pjesë të Lindjes së Mesme, Paqësorin Verior, Porto Riko dhe në vende tjera tropikale dhe subtropikale. Udhëtarët që vizitojnë këto vende mund ta marrin sëmundjen.
Simptomat e etheve tropikale mund të jenë të lehta dhe të rënda. Në rastet e lehta, simptomat më të shpeshta janë:
- Temperaturë e lartë befas (deri në 41 °C)
- Kokëdhimbje
- Dhimbje të syve
- Dhimbje të nyjave dhe muskujve
- Nauze, vjellje dhe humbje apetiti.
Pas etheve fillestare, te disa njerëz mund të shfaqen simptoma më serioze:
- Shenja të gjakderdhjes, si:
- Njolla të kuqe gjaku nën lëkurë
- Gjakderdhje nga hunda, goja ose gingiva (mishi i dhëmbëve)
- Vjellje gjaku
- Jashtëqitje të zeza (me gjak)
- Dhimbje të forta barku
- Shenja të tjera shoku.
Këto janë shenja të etheve tropikale hemorragjike. Në raste të rralla mund të jenë vdekjeprurëse.