Babai i ri

Të qenit një baba i mirë, është objektivi i pjesës më të madhe të burrave që planifikojnë të bëhen prindër. Por, kjo është një detyrë shumë të vështirë, madje shumë më e vështirë se ajo e të qenit nënë.

Ajo që i shqetëson më së shumti baballarët e rinj janë dyshimet: të kenë një marrëdhënie miqësore me fëmijët, apo të mbajnë qëndrim autoritar; t’u bëhen atyre shokë lojërash, apo të jenë udhërrëfyesit me përvojë të jetës së bijve?

Psikologët kanë bërë gjithnjë kërkime me qëllim t’u ndihmojnë baballarëve sa më shumë të jetë e mundur në rrugëtimin e tyre si prindër. Ata janë përpjekur të mësojnë nëse stili edukativ i prindërve ndikon dhe në çfarë mënyre ndikon te sjellja e fëmijëve.

Fokusi i njërit prej kërkimeve ishte gjetja e burimit të sjelljeve kundërvajtëse, devijante të disa adoleshenteve… dhe nëse këto kanë të bëjnë me stilin edukativ të baballarëve të tyre. Për të gjetur përgjigjet, studiuesit kanë marrë në shqyrtim një grup prej 600 studentësh, të cilët i kanë ndjekur gjatë fazës kyçe të rritjes së tyre, mes shkollës së mesme dhe asaj të lartë. Në këtë mënyrë, studiuesit kanë ballafaquar tri stile edukative të ndryshme të baballarëve:

  • autoritar (i besueshëm),
  • zotërues (urdhërues) dhe
  • tolerant (i butë).

Baballarët urdhërues

Rezultatet kanë dëshmuar se stili zotërues (urdhërues) është më i keqi i mundshëm. Një prind urdhërues jep urdhra, të cilat nuk duhen vënë në diskutim. Dhe ky është një lloj pushteti-kontrollues i njëanshëm dhe që pengon shkëmbimin e pikëvështrimeve mes prindërve dhe fëmijëve. Fëmijët e rritur me këtë tip të sistemit edukativ priren të jenë dyshues ndaj të rriturve dhe më të izoluar. Ata priren të nxisin dëshirën për t’u rebeluar ndaj një sistemi, të cilin e jetojnë si një pengesë që i detyron dhe nuk duan të dëgjojnë.

Baballarët e butë

Stili i butë (tolerant) qëndron në skajin e kundërt. Baballarë e këtij tipi janë gjithnjë të gatshëm lëshojnë gjithnjë pe, nuk imponojnë rregulla ose edhe nëse i vënë, nuk u shkojnë deri në fund për të parë nëse fëmijët i vënë ato në zbatim. Dhe pastaj janë thellësisht tolerantë nëse fëmijët i shpërfillin rregullat e vëna për ta. Fëmijët e këtyre baballarëve nuk i shohin prindërit e tyre, e as të rriturit e tjerë, si një figurë me autoritet. Por jo vetëm kaq. Kjo ndikon edhe në marrëdhëniet e tyre me veten: ata mund të rriten me një pasiguri të lartë për zotësitë e tyre dhe me aftësi të ulët vetëkontrolli. Duke u rritur, ata mund të shfaqin gjithashtu sjellje devijante ose keqbërëse.

Baballarët e besueshëm

Siç thoshin latinët: Virtyti qëndron ne mes. Ndryshe e thënë, në rastin konkret stili autoritar (që ngjall besim) është më i miri për t’u vënë në zbatim nga baballarët. Ky stil i praktikuar nga baballarët do të prodhojë në të ardhmen… fëmijë të ekuilibruar, që dinë të menaxhojnë autonominë e tyre, që janë në gjendje të jetojnë në mënyrë pozitive jetën shoqërore dhe atë personale.

Një baba me autoritet është një udhëzues që di të krijojë dhe mbajë distancën e duhur me fëmijët, që vendos rregulla dhe është i kujdesshëm që ato të respektohen, por në të njëjtën kohë është i gatshëm të shpjegojë arsyet dhe të dëgjojë kërkesat dhe nevojat e fëmijës ashtu si dhe këndvështrimin e tyre. Një baba me autoritet është një figurë solide dhe e besueshme, i aftë edhe për të manifestuar ndjenja e butësi njëkohësisht. Ai është një prind i kujdesshëm ndaj fëmijës së tij.

Përmbledhje

Stili i prindërimit ka ndikimin e vet të drejtpërdrejtë mbi mundësitë që fëmijët ta perceptojnë babanë si një figurë me autoritet të ligjshëm. Pastaj, adoleshentët që i shohin kësisoj baballarët e tyre, pra ua njohin dhe vlerësojnë autoritetin, kanë besim tek aftësitë e tyre dhe kanë më pak mundësi për të zhvilluar sjellje kundërvajtëse në këtë periudhë të rritjes së tyre.